OTP Bank Albania në bashkëpunim me BERZH dhe BE

OTP Bank Albania në bashkëpunim me BERZH dhe BE

Bledar Shella, Drejtor i Përgjithshëm, OTP Bank Albania (1)

Më datë 24 nëntor, u prezantua në Tiranë programi për konkurueshmërinë e SME-ve që ofron mundësi të reja financimi për bizneset në vend. Programi përfshin hua nga BERZH dhe incentiva në formë grantesh nga BE për bizneset e vogla në partneritet me bankat në vend. Linjat e specializuara të kredisë janë të disponueshme në OTP Bank Albania, për të cilat BERZH ka ofruar 8 milionë Euro hua.

SME-të do të mund të aplikojnë për investime në pajisje, makineri të reja dhe investime me qëllim rritjen e produktivitetit, uljen e shpenzimeve operacionale, rritjen e efiçencës së energjisë dhe përafrimin me standardet e BE. Krahas huave, bizneset do të përfitojnë nga incentiva në formë granti deri në 15 përqind të huasë, të financuara nga BE. Qëllimi është që SME-të të shkojnë përtej operacioneve të tyre të zakonshme dhe të investojnë në të qënit më konkurues në tregjet vendase dhe ato të BE.

Ekaterina Solovova, Drejtoreshë e BERZH në Shqipëri u shpreh: “Ndihma ndaj sektorit privat, veçanërisht për SME-të në Shqipëri që të bëhen më konkuruese dhe përdorimi më eficent i energjisë është një nga prioritetet tona këtu. Ne jemi të lumtur ta zgjerojmë këtë bashkëpunim me programe të ngjashme dhe të kemi qasje në sa më shumë biznese vendase në bashkëpunim me bankat tregtare”.

Hubert Perr, Kreu i Bashkëpunimit pranë Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri u shpreh: “Kjo është një mundësi shumë e mirë për SME-të në vend që të lënë gjurmën e tyre të veçantë në tregjet rajonale veçanërisht në kuadër të situatës ekonomike globale. Ne do të sigurohemi që këto incentiva të përfitohen nga bizneset që dëshmojnë vlerat bazë europiane në kuadër të sigurisë, standardeve të cilësisë dhe mjedisit. BE është këtu për t’ju mbështetur”.

  1. Bledar Shella, Drejtori Ekzekutiv i OTP Bank Albania, u shpreh: «Me kënaqësi vërejmë një përpjekje serioze të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor për të lëvizur drejt integrimit tregtar në Bashkimin Europian. Programi i mundësuar nga BERZH me ndihmën e Bashkimit Europian dhe të bashkëpunimit të bankave tregtare shqiptare vjen në një moment kyç të zhvillimit të vendit tonë. Ky program financiar synon të rrisë aftësinë konkuruese të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare duke mundësuar përmirësimin dhe ofrimin e standardeve europiane në linjën e vlerave që ky treg gjigand përfaqëson, konkretisht përmirësimin e impakteve në mjedis, sigurisë në punë, cilësia e mjedisit në ndërmarrje, përmirësimi i proçeseve, si edhe cilësia e siguria e produkteve. Në bankën tonë OTP Albania, ne i kemi dhënë dhe do t’i japim një vëmendje maksimale këtij programi. Dëshirojmë që fondet e vëna në dispozicion të lëvrohen në një kohë të shkurtër dhe programi të ketë sukses në vend në mënyrë që të rritet akoma më shumë në të ardhmen».

OTP Bank Albania është gjithmonë në mbështetje të programeve që synojnë rritjen e integrimit dhe përforcimit financiar të vendit në rajon e më gjerë.