Përfundon blerja e Alpha Bank Albania

Përfundon blerja e Alpha Bank Albania

Data 19 Korrik 2022 shënoi një ditë shumë të rëndësishme për Grupin OTP.

Gjatë organizimit të një eventi me pjesëmarrje të gjerë nga drejtuesit më të lartë të grupit, grupe interesi dhe media, u mbajt konferenca për shtyp në të cilën u njoftua përfundimi i procedurës së blerjes së Alpha Bank Albania. Siç u komunikua gjatë konferencës, transaksioni tashmë i mbyllur me sukses e bën Grupin OTP një aktor të rëndësishëm në tregun shqiptar, përkatësisht të pestin më të madh në terma të aseteve totale dhe të tretin në terma të portofolit të kredive.

Gjatë konferencës u mbajtën fjalime nga përfaqësues të rëndësishëm të Grupit OTP.
Z. Bledar Shella, Drejtor i Përgjithshëm i bankës OTP Albania u shpreh se: “Me blerjen e Alpha Bank ne kemi blerë një bankë shumë të mirë, me cilësi aktivesh mjaft pozitive, me një staf mjaft të përgatitur dhe me një histori të gjatë në tregun tonë bankar. Bashkimi i dy bankave do të bëjë të arrijmë gjëra që veç e veç nuk mund t’i arrinim dhe do na japë madhësinë e duhur për të qenë edhe më efiçentë dhe për të ofruar produkte dhe terma më të mira për klientët tanë. Qëllimi ynë është që të jemi banka lider në tregun tonë bankar shqiptar dhe kjo do të arrihet me rritje organike dhe ndoshta me blerje të ardhshme nëse krijohet mundësia”.

Z. László Wolf, zëvendës drejtor i përgjithshëm i OTP Bank në Hungari u shpreh se: “Blerja e Alpha Bank Albania erdhi si rezultat i besimit në zhvillimin e Shqipërisë dhe atë të rajonit. Hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Europian do të kontribuojë më tej në zhvillimin e vendit dhe forcimin e rolit të bankës OTP Bank Albania në tregun shqiptar. Me këtë transaksion, u konfirmua angazhimi ynë afatgjatë dhe serioz në tregun bankar shqiptar, por edhe demonstrimi se OTP Group ka një themel të fortë, është i mirë-kapitalizuar, ka një likuiditet të jashtëzakonshëm dhe manaxhimi është i vendosur në forcimin e prezencës rajonale”.

Deri në bashkimin ligjor (që pritet të ndodhë afër fundit të 2022), të dyja bankat do të operojnë si entitete të ndara, që do të thotë se Alpha Bank Albania do të vijojë të përdorë emrin ‘Alpha Bank Albania’ për një afat të përkohshëm, por tashmë nuk është më pjesë apo në ndonjë mënyrë e lidhur me Alpha Bank Group. Procesi i intergrimit të plotë i Bankës OTP Albania dhe Alpha Bank Albania është planifikuar të zgjasë deri në vitin 2023.

Grupi OTP është një nga grupet financiare më të qëndrueshme në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore me përfitueshmëri të jashtëzakonshme, pozicione të qëndrueshme të kapitalit dhe likuiditetit. Grupi bankar e ka selinë qendrore në Budapest, Hungari dhe ka një strukturë pronësie të diversifikuar dhe transparente. Grupi bankar është i listuar në bursën e Budapestit që nga viti 1995.